Killeri i Naim Zyberit i përfshirë në kokainën e kapur në Durrës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.09.2026, 21:40

Sasia prej 37 pakosh kokainë, e sekuestruar në Portin e Durrësit brenda një kontejneri me mish pule nga Brazili, dyshohet se ka lidhje me rrjetin e Gerd Gjinararit, i njohur me pseudonimin “Gjenerali”. Ngjarja u zbardh pas një operacioni të gjerë të autoriteteve belge në Antwerp, të cilat goditën një grup kriminal shqiptar në bashkëpunim me Europol-in dhe me disa shtete të tjera, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Ngarkesa e drogës ishte fshehur në hapësirat e jashtme frigoriferike të kontejnerit të nisur nga Brazili, i cili kishte kaluar tranzit përmes Greqisë dhe ishte porositur nga kompania "AMG Food" në pronësi të Mondi Goxhajt. Zëdhënësi i Prokurorisë së Antwerp-it, Kristof Aerts, konfirmoi zyrtarisht lidhjen mes goditjes së grupit në Belgjikë dhe sekuestrimit të 37 kilogramëve kokainë në Durrës, ndërsa çështja i është referuar SPAK-ut për hetim të mëtejshëm.

Gjatë aksionit në Antwerp përfunduan në pranga tetë persona, mes të cilëve një 48-vjeçar shqiptar i dyshuar si ndërmjetës kyç mes kartelave të Amerikës Latine dhe grupeve kriminale në Evropë e deri në Australi. Hetuesit belgë zbuluan se ky ndërmjetës mbante kontakte direkte me Gerd Gjinararin, i arrestuar po në Belgjikë pak muaj më parë.

Gerd Gjinarari është një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, i cilësuar si ekzekutuesi i Naim Zyberit — një prej personazheve më të fortë të Tiranës në fillim të viteve ’90 dhe rivalit të Gaz Muçës. Gjinarari, së bashku me Arben Grorin dhe një person tjetër, e ekzekutuan Zyberin më 6 gusht 1997 brenda një spitali në Milano ku ai kurohej.

Për këtë krim, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane. Në vitin 2014 ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin, por në shkurt të vitit 2019 u lirua me kusht nga gjyqtari Markelian Kuqo në Korçë, menjëherë pasi u transferua në burgun e Drenovës. Edhe pse Gjykata e Apelit e shfuqizoi vendimin pak javë më vonë duke urdhëruar rikthimin e tij në qeli, "Gjenerali" mundi të arratisej jashtë vendit, për t'u rishfaqur së fundmi në rrjetet e trafikimit ndërkombëtar të kokainës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit