“Shiriti është vendosur që në shkurt”/ Muri i shembur përballë gjimnazit në Shkozë, banorët: “Po rrezikohen fëmijët”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 15.09.2026, 18:20

Banorët e Shkozës, Tiranë, i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e një muri të shembur në Rrugën Ali Shefqeti, përballë gjimnazit “Abdulla Keta”.

Sipas banorëve, muri i një banese të braktisur është shembur dhe gurët, tullat dhe rrënojat kanë përfunduar në rrugë, duke ngushtuar hapësirën e kalimit.

Në pamjet e dërguara në redaksi shihet grumbulli i rrënojave përgjatë rrugës, ndërsa një pjesë e murit të dëmtuar vijon të qëndrojë mbi shpatin pranë banesës.

Banorët shprehen veçanërisht të shqetësuar për faktin se objekti ndodhet përballë gjimnazit dhe se me fillimin e vitit shkollor, rruga do të përdoret çdo ditë nga nxënësit.

Ju lutem bëjeni publike këtë ankesë se kemi që nga marsi që raportojmë te Bashkia Tiranë dhe asnjë masë nuk po merret. Përballë gjimnazit ‘Abdulla Keta’ në Shkozë, në rrugën ‘Ali Shefqeti’, është shembur muri i një shtëpie të braktisur. Gurët dhe rrënojat kanë rënë në mes të rrugës, duke krijuar një rrezik serioz për jetën e fëmijëve tanë që kalojnë çdo ditë për në shkollë.

Sipas tyre, në terren kanë shkuar inspektorët e bashkisë, por ndërhyrja ka konsistuar vetëm në vendosjen e një shiriti sigurie.

Shiriti është vendosur që në muajin shkurt nga bashkia dhe s’kemi marrë asnjë zgjidhje. Tani që hapen shkollat do të jetë një rrezik i madh, pasi gjimnazi është përballë. Bashkisë i jemi drejtuar me kërkesa të ndryshme, por asnjë zgjidhje.

Edhe përgjigjet e dhëna përmes platformës Tirana Ime tregojnë se Policia Bashkiake e ka verifikuar rastin. Në përgjigjen e parë, bashkia deklaron se muri i përket një banese të rrënuar dhe se është vendosur shirit sigurie, ndërsa struktura kompetente është njoftuar për pastrimin e rrugës.

Në një përgjigje të datës 6 gusht 2026, banorëve u është bërë me dije se bëhet fjalë për një ankesë të përsëritur dhe se është raportuar sërish për pastrimin e rrugës.

Megjithatë, sipas banorëve, rrënojat ende ndodhen në rrugë dhe struktura e dëmtuar nuk është siguruar plotësisht.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin e rrugës dhe sigurimin ose prishjen e pjesës së mbetur të strukturës, veçanërisht përpara se nxënësit të rikthehen në shkollë.

JOQ Albania publikon pamjet, denoncimin dhe përgjigjet e marra nga institucionet, ndërsa pret që strukturat përgjegjëse të ndërhyjnë për eliminimin e rrezikut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit