Në ditën e 107-të të protestës kundër qeverisë dhe klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit, qytetarët janë ndalur edhe para Gjykatës së Lartë, gjatë marshimit të mbrëmjes në Tiranë.
Pak para përfundimit të protestës, protestuesit kanë qëndruar përpara institucionit ku nesër do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Seanca është caktuar për orën 09:30.
Përpara Gjykatës së Lartë, qytetarët i janë drejtuar trupës gjykuese me thirrjet: “O gjyqtar, bëj drejtësi, lëre Veliajn në qeli”, duke kërkuar që masa e arrestit me burg ndaj kryebashkiakut të mbetet në fuqi.
Protestuesit kanë njoftuar gjithashtu se do të rikthehen nesër në orën 09:30 para Gjykatës së Lartë, ku kanë paralajmëruar një tjetër tubim paqësor në kohën kur pritet zhvillimi i seancës.
Ndalesa para gjykatës vjen në fund të një dite të gjatë proteste, e cila nisi me tubimin para Kryeministrisë dhe vijoi me marshimin në rrugët e Tiranës, ndërsa protestuesit u ndalën më herët edhe para Komisariatit nr. 3 për të kërkuar lirimin e qytetarëve të arrestuar gjatë protestës.