Nga Ministria e së Vëretës.
Në një ceremoni të improvizuar drejtpërdrejt në trotuar, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dekoruar me dekoratën më të lartë ushtarake policin që u filmua sot duke stërvitur grushtin e tij direkt në stomakun e një qytetari të paarmatosur.
Sipas burimeve konfidenciale nga Beogradi, Vuçiç e kishte ndjekur skenën nga afër me buzëqeshje prindërore dhe duartrokitje entuziaste, duke e cilësuar goditjen si "forma më e pastër e diplomacisë dhe menaxhimit të turmës që nga shekulli i kaluar".
"Kemi vite që shpenzojmë miliona euro për të stërvitur ushtrinë tonë, por ky djalosh tregoi me një të rënë të vetme të krahut se çfarë do të thotë disiplinë e vërtetë," deklaroi një Vuçiç i emocionar, ndërsa fshinte një lot gëzimi nga syzet. "Efektshmëria e tij, teknika e grushtit anësor pa asnjë hezitim apo konsideratë për të drejtat e njeriut, është saktësisht ajo që i mungonte forcave tona të armatosura."
Polici i sapopromovuar do të marrë menjëherë gradën e Gjeneralit të Trupave Speciale dhe do të jetë përgjegjës për modulit e ri të stërvitjes me titull: "Si të shmangësh bisedimet diplomatike duke përdorur vetëm grushtin e djathtë".
Përveç gradës së re ushtarake, Gjeneral 'Grushti' ka marrë edhe ftesë zyrtare për të mbajtur një leksion të hapur në Akademine e Policisë Serbe mbi temën "Si të rrahësh popullin e pambrojtur".
Ndërkohë, viktima e goditjes raportohet se ka kërkuar falje zyrtare që i pengoi grushtin e policit me stomakun e tij, duke premtuar se herën tjetër do të stërvitet më shumë për të mbajtur goditjet që të mos i prishë gradën gjeneralit të ri.