Sytë e opinionit publik janë kthyer nga seanca e nesërme e 15 shtatorit në Gjykatën e Lartë, e cila pritet të jetë një moment kyç në përplasjen e drejtësisë me korrupsionin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përballet me 13 akuza të rënda penale dhe prej shkurtit të vitit 2025 qëndron në qelitë e burgut të Durrësit, kërkon lirim nga masa e sigurisë dhe rikthim në zyrë. Kjo kërkesë vjen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që e njohu atë si kryetar bashkie në detyrë.
Ndërsa mediat pranë pushtetit raportojnë se Gjykata Kushtetuese ka hapur rrugën për lirimin e tij, ekspertët sqarojnë se Gjykata Kushtetuese thjesht ka kërkuar arsyetim shtesë nga gjyqësori se përse një zyrtar në detyrë duhet të qëndrojë në burg. Nga ana tjetër, mbetet shqetësim fakti se rikthimi i tij në detyrë mund të çojë në përsëritjen e veprës penale, dëmtimin e provave apo intimidimin e dëshmitarëve, për më tepër që Veliaj refuzon të paraqitet në seancat gjyqësore prej 14 muajsh që nga dorëzimi i dosjes në GJKKO.
Lidhur me seancën e nesërme po qarkullojnë pikëpyetje të mëdha, pasi burime për mediat pretendojnë se gjyqi do të shtyhet për në datën 29 shtator. Ky informacion i pretenduar nga rrethi i tij ngre dyshime të forta: nëse seanca vërtet shtyhet siç thuhet, mbetet e paqartë se si i pandehuri e di paraprakisht vendimin e trupës gjykuese, gjë që do të ngrinte hije dyshimi për komunikime të jashtëligjshme me anëtarë të Gjykatës së Lartë. Mbetet për t'u parë nesër nëse ky është thjesht një truk propagande apo nëse seanca do të zhvillohet rregullisht, duke vënë në provë integritetin e sistemit të drejtësisë.