Këto janë fjalët e Zahrije Podrimçakut, ish-e burgosurës që sot, në sallën e gjyqit, rrëfeu disa nga kujtimet më të dhimbshme të jetës së saj.
Në seancën ndaj Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, Podrimçaku ka treguar për torturat dhe përjetimet e rënda gjatë kohës së mbajtjes së saj në burgun e Lipjanit dhe më pas në burgun e Beogradit.
Dëshmia e saj ishte një rrëfim për frikën, vetminë, pagjumësinë dhe një dhimbje që, sipas fjalëve të saj, e kishte çuar deri në pikën ku nuk besonte më se do të kthehej e gjallë në Kosovë.
“Më transferuan në burgun e Beogradit, aty e dija veten të vdekur dhe nuk besoja se do të kthehesha e gjallë në Kosovë”, ka rrëfyer ajo.
Ditët dhe netët pa gjumë, lodhja dhe torturat psikike, sipas dëshmisë së saj, e kishin rraskapitur deri në kufijtë e durimit njerëzor.
Ajo ka treguar se në një moment, kur ishte çuar për nevoja fiziologjike, kishte parë në tualet një bojler dhe ujë të vakët.
Dhe, edhe pse mendonte se mund të mos dilte më e gjallë nga ai vend, ajo hyri në tualet dhe u pastrua.
“Thashë, e vdekur se e vdekur, të pastrohem.”
Një fjali e shkurtër, por që në vetvete bart peshën e një dëshpërimi të thellë.
Një grua që nuk e dinte nëse do ta shihte më Kosovën, por që në ato pak çaste kërkonte të gjente forcën për të pastruar trupin e saj nga djersa dhe lodhja.
“Sepse më mbuluan djersët nga pagjumësia, lodhja dhe torturat psikike që m’i bënin, duke dëgjuar zhurmat dhe përplasjet e dyerve”, ka deklaruar Podrimçaku.
Por tmerri, sipas saj, kishte nisur në burgun e Lipjanit.
Podrimçaku ka rrëfyer se kishte qëndruar në vetmi dhe se për rreth tre muaj ishte mbajtur në një dhomë pa dritare, në errësirë të plotë.
“Tre muaj ditë në një dhomë pa dritare. Krejt terr ka qenë.”
Ajo ka treguar se errësira ishte aq e madhe sa, kur rojet hynin për kontroll, nuk arrinte t’ua shihte as sytë dhe nuk mund ta dallonte nëse para saj qëndronte një burrë apo një grua.
Dhe bashkë me errësirën vinte edhe frika.
“Kisha frikë mos po vijnë meshkuj me të dhunuar. Vetëm ta kam vetëdijen, ta kontrolloj veten”, ka deklaruar ajo.
Sot, vite pas atyre ngjarjeve, Podrimçaku u përball sërish me kujtimet e asaj kohe – kësaj here në një sallë gjyqi.
Fjalët e saj nuk ishin vetëm një rrëfim për ditët e kaluara pas hekurave. Ishin dëshmi e një kohe kur frika ishte bërë pjesë e përditshmërisë dhe kur shpresa për të dalë gjallë nga burgu ishte kthyer në një luks.