Urim Morina, 27 vjeç, me origjinë shqiptare, i ka shpëtuar burgimit në Britani, pasi gjyqtari mori në konsideratë rrethanat familjare dhe krizën e mbipopullimit në burgje. Morina, i cili kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar rreth 10 vite më parë me identitet të rremë, u deklarua fajtor për furnizim me kokainë përmes një bande që vepronte në kufijtë e qarqeve, gjatë periudhës shtator 2024–mars 2026, si dhe për posedim të një dokumenti me emër të rremë.
Sipas mediave britanike, ai u dënua me dy masa burgimi, me një total prej dy vitesh e katër muajsh, por gjyqtari James Bromige, në Gjykatën e Kurorës në Winchester, vendosi pezullimin e dënimit për tre vjet. Vendimi u mbështet edhe në udhëzimet e reja të qeverisë britanike për të lehtësuar mbipopullimin e burgjeve, të cilat u lejojnë gjyqtarëve të pezullojnë dënime deri në tre vjet, nga dy vite që ishte kufiri i mëparshëm.
Në vendimin e tij, gjyqtari mori parasysh edhe ndikimin që burgosja e Morinës do të kishte te partnerja e tij, e cila vuan nga depresioni dhe fibromialgjia, një sëmundje kronike që shkakton dhimbje dhe lodhje. Gjykata dëgjoi se Morina kujdesej për familjen, duke gatuar e pastruar dhe duke shoqëruar partneren në vizitat mjekësore.