Një 47-vjeçar nga Peja ka ndërruar jetë të dielën mbrëma në Spitalin e Përgjithshëm, pasi ishte dërguar në Emergjencë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Sipas informacioneve të siguruara, i ndjeri ishte paraqitur në spital për shkak të problemeve serioze me frymëmarrjen dhe, në momentin e pranimit, kishte parametra të ulët jetësorë.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, rreth orës 23:40 është konstatuar vdekja e tij.
Në spital ndodhej edhe vëllai i të ndjerit, i cili ka kërkuar që të hetohen dhe sqarohen plotësisht rrethanat e vdekjes. Sipas deklarimit të tij, 47-vjeçari ishte kthyer po atë ditë nga Ulqini, ku kishte qëndruar nga 5 deri më 13 shtator.
Për shkak të paqartësive rreth shkakut të vdekjes, familjarët kanë kërkuar që trupi t’i nënshtrohet obduksionit.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe dërgimin e trupit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Me rastin janë marrë edhe hetuesit rajonalë në Pejë.
Rreth orës 03:30, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas përfundimit të ekzaminimeve mjekoligjore.