Tirana është zgjuar këtë të hënë me trafik të rënduar në Unazën e Madhe, me radhë të gjata automjetesh që shtrihen nga zona e Liqenit deri në afërsi të Paskuqanit. Qindra qytetarë janë përballur me vështirësi në qarkullim, teksa për shumë prej tyre udhëtimi drejt destinacionit është zgjatur ndjeshëm.
Në pamjet e siguruara nga një qytetar për JOQ, shihet fluksi i madh i automjeteve dhe pritjet e gjata në trafik. Qytetari shprehet se ka rreth një orë që ndodhet në trafik, ndërsa situata ka krijuar vonesa për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që kanë nisur ditën e punës.
Një nga faktorët që ka ndikuar në rëndimin e trafikut është edhe nisja e vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar, që ka sjellë një fluks më të madh automjetesh në rrugët e kryeqytetit. Situata ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e trafikut nga Policia Rrugore dhe masat e marra për këtë ditë të ngarkuar! A po menaxhohet siç duhet trafiku dhe çfarë duhej bërë për të shmangur kaosin në Unazën e Madhe?