Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një situatë që, sipas saj, është kthyer në të përditshme në Ranën e Hedhun, ku të rinj me makina ngjiten mbi dunat e rërës, duke i dëmtuar ato.
Në pamjet e dërguara në redaksi, makinat shihen duke lëvizur mbi rërë dhe duke u ngjitur në shpatet e dunave, ndërsa pamje të tilla, sipas denoncueses, publikohen edhe në rrjetet sociale, përfshirë transmetime live.
Rana e Hedhun është një nga peizazhet më të veçanta natyrore të bregdetit shqiptar. Zona është e kategorizuar si “Monument Natyre” dhe njihet pikërisht për dunat e mëdha të rërës, të formuara në shpatin e kodrës dhe që zbresin drejt detit.
Denoncuesja thotë se situata është e përsëritur dhe se përdorimi i makinave mbi dunat po dëmton këtë zonë.
Në një moment, kur personi që po transmetonte live është pyetur nga një qytetar se po dëmtohej vendi dhe rëra, ai është përgjigjur: “Çfarë vendi shkatërruam se rërë është, bie shi dhe rregullohet prapë!”
“E shkatërruan Ranën e Hedhun. Është përditë e njëjta situatë, vijnë, xhirojnë nëpër rërë, hipin dhe zbresin duke e shkatërruar këtë mrekulli. Shteti të marrë masa urgjent”, shkruan denoncuesja.
Qytetarja u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për të mbrojtur zonën dhe për të parandaluar lëvizjen e mjeteve mbi dunat.