“300 mijë € futi në qese dhe lidhi te depozita”, zbulohet letra kërcënuese e 56-vjeçarit për kushëririn

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.09.2026, 15:54

Një 56-vjeçar nga zona e Gërdecit, Ardian Muka, ka përfunduar në pranga pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 300 mijë euro kushëririt të tij, i cili jeton dhe ushtron aktivitetin e tij në Itali.

Muka, i cili kishte jetuar si emigrant në Greqi, dyshohet se përdori kërcënimin për të detyruar të afërmin të dorëzonte shumën e parave. Por mënyra se si ishte hartuar letra kërcënuese i dha policisë indicie të rëndësishme për identifikimin e autorit.

Sipas burimeve, agjentët e Komisariatit nr. 7 në Tiranë analizuan përmbajtjen e letrës dhe dyshuan se autori ishte banor i zonës së Gërdecit. Në tekst përmendeshin detaje të hollësishme që lidheshin me jetën dhe rrethanat e familjes së kërcënuar.

“300 mijë eurot lidhini në një qese dhe vendosi tek depozita e gazit mbas shtëpisë, pastaj do ju shkruaj unë se ku do t’i vendosni sërish”, shkruhej në mesazhin kërcënues.

Letra ishte futur në një zarf dhe, si paralajmërim, autori kishte vendosur edhe një plumb.

Hetimet zbuluan se nuk bëhej fjalë për herën e parë që familjarët përballeshin me një kërcënim të tillë. Sipas burimeve, e njëjta letër gjobëvënëse dyshohet se ishte lënë në derën e të afërmve gjatë verës së vitit të kaluar. Në atë rast, familjarët kishin zgjedhur të mos e denonconin ngjarjen.

Të kërcënuarit jetojnë në Itali, ku zotërojnë një biznes në fushën e ndërtimit. Pikërisht njohja me aktivitetin e tyre dhe dijenia për disa konflikte të tjera ekonomike dyshohet se e kanë shtyrë 56-vjeçarin të tentojë sërish marrjen e parave.

Muka dyshohet se ka shfrytëzuar periudhën e pushimeve në Shqipëri për të hartuar dhe dorëzuar letrën. Për të shmangur identifikimin përmes shkrimit të dorës, ai e kishte shkruar mesazhin me gërma kapitale.

Megjithatë, gabimet gramatikore dhe mënyra e veçantë e formulimit të kërkesave u kthyen në prova të vlefshme për hetuesit. Policia arriti të krijonte një profil të autorit dhe të ngushtonte rrethin e të dyshuarve.

Situata u bë edhe më serioze pasi në kërcënim përmendej mundësia e vendosjes së eksplozivit në banesë. Për këtë arsye, në hetim u përfshinë edhe specialistë të krimeve të rënda.

“Ai përmendte se do vendoste eksploziv në banesë dhe kjo solli në vendngjarje edhe hetues të krimeve të rënda”.

Sipas të njëjtit burim, autori u tradhtua pikërisht nga letra që kishte përgatitur për të fshehur gjurmët. Mënyra e shkrimit, gabimet dhe detajet që vetëm një person i njohur me familjen mund t’i dinte ndihmuan hetuesit në identifikimin e tij.

Ardian Muka tashmë është arrestuar dhe përballet me akuzat për shtrëngim me anë të kanosjes dhe mbajtje të municioneve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit