Një kliente ka denoncuar për JOQ një eksperiencë negative me faqen “Daisy Store Albania”, duke pretenduar se një palë shapka të blera prej saj janë dëmtuar pas më pak se 24 orësh përdorim. Sipas denoncimit, shapkat, të reklamuara si imitim Gucci, janë blerë për 35 mijë lekë të vjetra, ndërsa transporti ka kushtuar edhe 3 mijë lekë. Produkti është dërguar nga Shqipëria në Itali përmes kunatës së saj dhe, sipas klientes, është përdorur vetëm brenda banesës. Ajo pretendon se pjesa anësore e shapkas është shkëputur te ngjitësi që në përdorimet e para, ndërsa në fotot e dërguara prej saj sholla paraqitet thuajse e papërdorur.
Klientja thotë se pasi konstatoi dëmtimin, kontaktoi faqen dhe u dërgoi fotografitë e shapkas së dëmtuar, por pretendon se nuk mori përgjegjësinë apo zgjidhjen që priste nga shitësi. Në denoncimin e saj, ajo shprehet e zhgënjyer nga cilësia e produktit dhe paralajmëron konsumatorët që të tregohen të kujdesshëm me blerjet online, veçanërisht me produktet e reklamuara në TikTok. Ajo ka kërkuar që rasti të publikohet, duke ngritur shqetësimin se mund të ketë edhe klientë të tjerë që kanë pasur probleme të ngjashme.