Nga qindra milionë në vetëm 16.3 milionë lekë fitim: “Gogel Holdings”, kompania e Arbër Veliajt, vëllait të Erion Veliajt, ka mbyllur vitin 2025 me një rënie të fortë financiare. Sipas bilancit të dorëzuar pranë QKB-së, fitimi i kompanisë ka rënë me 62.4 për qind krahasuar me vitin 2024, kur ishte 43.3 milionë lekë. Shifra duket edhe më e vogël po të krahasohet me vitin 2023, kur “Gogel” raportonte mbi 160 milionë lekë fitim. Edhe biznesi i Ajola Xoxes, bashkëshortes së Erion Veliajt, ka raportuar një rënie drastike të fitimeve, me 92 për qind gjatë vitit 2025. Një seri shifrash që vijnë në një periudhë aspak të zakonshme për familjen e kryebashkiakut, tashmë në qendër të hetimeve dhe proceseve të drejtësisë.
“Gogel”, e nisi aktivitetin në vitin 2009 në fushën e reklamave dhe menaxhimit të fushatave promocionale, por zgjerimi i biznesit erdhi në vitet kur Erion Veliaj nisi ngjitjen e tij politike. Pikërisht kjo rritje ka qenë prej kohësh objekt kritikash nga kundërshtarët e tij, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes kompanisë së Arbër Veliajt dhe bizneseve që kanë pasur kontrata, leje apo marrëdhënie me Bashkinë e Tiranës. Pretendimet janë mohuar nga vëllezërit Veliaj. Ndërkohë, SPAK ka zhvilluar hetime edhe për Arbër Veliajt, ndërsa BKH ka ushtruar kontrolle në ambientet e “Gogel” dhe kompanive të lidhura me të në tetor 2025 dhe prill 2026. Në një tjetër zhvillim, në tetor 2025 pronësia e kompanisë kaloi nga Arbër Veliaj te “REG Investitionen GmbH”, kompani me seli në Austri, por sërish e lidhur me të.
Dhe ndërsa bilancet e kompanive familjare japin një tablo më pak optimiste, jashtë Shqipërisë po zhvillohej një tjetër kapitull i historisë. Dokumentet e FARA-s tregojnë se Erion dhe Arbër Veliaj angazhuan studiot “Kasowitz Benson Torres” në Nju Jork dhe “Mishcon de Reya” në Londër për çështjet që lidhen me arrestimin dhe paraburgimin e kryebashkiakut. Deri në prill 2026, kostoja e këtij lobimi raportohet rreth 483 mijë dollarë. Arbër Veliaj ka deklaruar se ai vetë ishte garant financiar për angazhimin e studios amerikane dhe se pasuria e tij buron nga aktiviteti privat, i pavarur nga i vëllai. Në fund, tabloja mbetet ironike: kompania që dikur numëronte fitime në qindra milionë lekë tashmë raporton vetëm 16.3 milionë, ndërsa familja përballet njëkohësisht me hetime, kontrolle dhe qindra mijëra dollarë shpenzime për mbrojtje e lobim. Një “rastësi” financiare që, të paktën në letër, duket se erdhi në një moment shumë të veçantë./Bold News


