Emigrantët e kthyer nga Britania zhduken në Francë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 13.09.2026, 08:38

Qindra emigrantë të parregullt të kthyer nga Mbretëria e Bashkuar në Francë, në kuadër të skemës “një brenda, një jashtë”, janë zhdukur pa lënë gjurmë, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, të cituara nga “The Guardian”. Mes tyre janë edhe të paktën 41 persona me moshë të diskutueshme, të cilët pretendonin se ishin të mitur të pashoqëruar. Marrëveshja mes Londrës dhe Parisit synonte kthimin e emigrantëve që kalonin ilegalisht Kanalin e Manshit, në këmbim të pranimit të azilkërkuesve me kërkesa legjitime.

Pavarësisht pritshmërive të larta, skema ka prodhuar rezultate të kufizuara. Që prej nënshkrimit të marrëveshjes në shtator të vitit të kaluar, janë kthyer rreth 1,400 emigrantë, ndërsa më shumë se 32 mijë persona kanë mbërritur ilegalisht në Britani. Maddie Harris, drejtoreshë e “Humans for Rights Network”, thotë se mes të zhdukurve janë edhe persona me moshë të kontestuar dhe kujton se ligji ndalon mbajtjen e të miturve të pashoqëruar në qendra paraburgimi për të rritur. Ministria e Brendshme britanike i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se të gjithë personat e kthyer ishin të rritur.

Me afrimin e skadimit të marrëveshjes në tetor, e ardhmja e saj duket e pasigurt. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, ka sinjalizuar se Parisi nuk synon ta zgjasë paktin në formën aktuale. Franca kërkon një marrëveshje më të gjerë me Bashkimin Evropian, sipas së cilës Britania do të bashkëpunonte me të 27 vendet anëtare për kthimin dhe pranimin e emigrantëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit