Pamje të rënda nga Mallakastra: Dhjetëra bagëti u dogjën nga zjarri në Çërrilë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.09.2026, 00:05

Pamje të rënda kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga fshati Çërrilë i Mallakastrës, disa ditë pasi zona u përfshi nga një zjarr i përmasave të mëdha.

Në videon e dërguar në redaksi shihen dhjetëra krerë bagëti të ngordhura, ndërsa sipas banorit që ka dërguar pamjet, rreth 70 krerë janë humbur si pasojë e zjarrit.

“Shikoni dëmin që është bërë. Televizionet japin vetëm statistika, sa vatra janë aktive dhe sa zjarrfikëse janë në terren, por asgjë për dëmet e shkaktuara dhe çfarë ndihme do t’u jepet këtyre njerëzve që kanë të vetmin burim të ardhurash për jetesë”, shkruan denoncuesi.

Zjarri në Çërrilë shpërtheu më 6 shtator dhe përfshiu sipërfaqe me pisha, ullishte dhe shkurre. Terreni i thyer dhe era e fortë e vështirësuan ndërhyrjen, ndërsa ditët në vijim u raportua edhe riaktivizimi i vatrave.

Sipas Policisë së Shtetit, për zjarrin në Çërrilë është proceduar penalisht një 77-vjeçar, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarr në tokën e tij dhe flakët, të favorizuara nga era, dolën jashtë kontrollit.

Tashmë, përtej sipërfaqeve të djegura, pamjet tregojnë edhe pasojat e zjarrit mbi familjet që jetojnë me blegtorinë. Mbetet për t’u parë nëse institucionet do të ndërhyjnë me ndihmë konkrete për banorët që kanë humbur bagëtinë dhe një pjesë të rëndësishme të të ardhurave të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit