Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i policisë greke në Athinë, ku dy ditë më parë ra në pranga një personazh i njohur i botës së krimit në Shqipëri. I arrestuari është identifikuar si Lulëzim Caka, i njohur ndryshe si "Lul Caka", një nga emrat më të përfolur të kronikës së zezë të viteve '90. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në kryeqytetin grek, autoritetet gjetën dhe konfiskuan 2 milionë euro kesh, sasi lënde narkotike si dhe bizhuteri me vlerë të lartë.
Lul Caka ka gëzuar një reputacion të frikshëm për veprimtarinë e tij kriminale në boshtin Berat-Fier-Lushnjë gjatë trazirave të vitit 1997. Ai rezulton i dënuar me 25 vite burg nga gjykatat shqiptare për vrasjen e Pëllumb Eminit në korrik të vitit 1997 në Lushnjë, si dhe për sulmin me armë ndaj dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 1998.
Pavarësisht se Caka ka mohuar vazhdimisht autorësinë për përplasjen me armë ndaj forcave të rendit, Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi dënimin kapital ndaj tij. Përfundimi i arratisë së tij në Greqi me një shumë të madhe parash të padeklaruara pritet të hapë procedura të reja ekstradimi me autoritetet shqiptare.