Momente frike dhe paniku janë regjistruar gjatë ndeshjes së Kategorisë së Parë mes Besëlidhjes dhe Korabit, ku ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Lorenc Trashi, ka pësuar një problem shëndetësor në fushën e lojës. Mbrojtësi i skuadrës lezhjane ndjeu një shtrëngim në gjoks gjatë pjesës së parë dhe u rrëzua në bar, duke alarmuar menjëherë të pranishmit.
Stafet mjekësore të të dyja ekipeve ndërhynë me shpejtësi për t'i dhënë ndihmën e parë 32-vjeçarit, i cili arriti ta kalonte gjendjen kritike. Megjithatë, për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm, u vendos që Trashi të transportohej me urgjencë drejt spitalit për t'iu nënshtruar ekzaminimeve më të detajuara.
Sfida u ndërpre për rreth 6 minuta dhe rifilloi vetëm pas konfirmimit të mjekëve se situata në fushë ishte nën kontroll. Në momentin e incidentit, ekipi mik i Korabit po kryesonte takimin me rezultatin 0-1.