I riu shqiptar kërkon ndihmë: Nëna me tumor, rrezikojmë të mbetemi pa shtëpi

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.09.2026, 20:33

Linku i GoFundMe

Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Michele, një shqiptar që jeton në Verona të Italisë, i cili po përballet me një situatë të vështirë familjare dhe ekonomike.

Michele tregon se është rritur vetëm me nënën e tij, Ledia Kaceli, e cila prej vitesh përballet me probleme shëndetësore dhe ka një invaliditet të njohur prej 60%. Sipas tij, ajo nuk është në gjendje të punojë dhe, pavarësisht gjendjes së saj, nuk përfiton pension invaliditeti në Itali për shkak të përqindjes së njohur të paaftësisë.

Situata është rënduar ndjeshëm gjatë këtij muaji, pasi nënës së tij i është diagnostikuar një tumor pas syrit të djathtë. Ajo po ndiqet nga mjekët në Itali dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje urgjente. Sipas Michele, tumori nuk është hequr plotësisht dhe tashmë nevojiten kontrolle dhe trajtime të mëtejshme.

Por krahas shqetësimit për shëndetin e nënës, familja po përballet edhe me një tjetër problem urgjent. Më 23 shtator duhet të largohen nga banesa ku jetojnë aktualisht, pas një vendimi gjyqësor për lirimin e saj. Gjetja e një shtëpie të re pa garanci apo pagesa paraprake, sipas Michele, është tepër e vështirë.

Ai thotë se ka tentuar të marrë edhe një kredi bankare, por është refuzuar pasi nuk ka një kontratë pune të përhershme. Aktualisht punon në sektorin e restoranteve me kontratë me afat të caktuar.

Për këtë arsye, Michele ka hapur një fushatë në GoFundMe dhe apelon për ndihmën e shqiptarëve, me qëllim që të përballojë shpenzimet më urgjente.

Ai sqaron se shpenzimet bazë mjekësore, si ndërhyrjet dhe qëndrimi në spital ditor, mbulohen nga shteti italian. Ndihma e mbledhur do të përdoret kryesisht për ilaçet, veçanërisht ato që lidhen me paaftësinë e nënës së tij, transportin, zhvendosjen dhe sigurimin e një banese të re.

Në të ardhmen, Michele shpreson të mund të sigurojë edhe një infermiere që të kujdeset për nënën e tij disa orë në ditë, në mënyrë që ai të ketë mundësi të gjejë një punë më të qëndrueshme dhe me kohë të plotë.

“Për momentin jemi vetëm unë dhe mamaja ime, dhe për të jam gati të bëj gjithçka dhe më shumë”, shprehet ai.

Michele i ka dërguar redaksisë dokumentacionin përkatës lidhur me situatën e nënës dhe apelon për çdo ndihmë apo shpërndarje që mund t’i ndihmojë të arrijnë te më shumë njerëz.

Nr kontakti me familjen: +39 371 445 2911

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit