Bota drejt një krize të papreçedentë nafte: Arabia Saudite mbyll tubacionin

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.09.2026, 18:24

Bota po përballet me rrezikun e një krize masive energjetike, ku shqetësimi kryesor po zhvendoset nga rritja e çmimeve te mungesa fizike e produktit në treg.

Arabia Saudite njoftoi mbylljen e përkohshme të naftësjellësit Lindje-Perëndim, një linjë nga ku kalojnë 4 deri në 5 milionë fuçi në ditë (afërsisht 5% e furnizimit global), si masë paraprake pas një sulmi me dron që kishte origjinën nga Iraku.

Ky tubacion prej 1.200 km ishte e vetmja rrugë dytësore që lehtësonte bllokimin e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, ku lëvizja e anijeve ka rënë në nivele minimale për shkak të konfliktit gjashtëmujor mes SHBA-së dhe Iranit.

Situata është përkeqësuar më tej pas raportimeve se rebelët Houthi kanë marrë nën kontroll ishullin strategjik të Perimit në ngushticën Bab el-Mandeb, duke rritur presionin në të dyja anët e Gadishullit Arabik.

Menjëherë pas këtij përshkallëzimi, çmimet e naftës kapërcyen sërish mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e gatshme 10 ppm arriti në 1,560 dollarë për ton. Meqenëse zhvillimet e fundit ndodhën pas mbylljes së bursave të së premtes, ekspertët paralajmërojnë se e hëna mund të sjellë një rritje historike çmimesh.

Përtej goditjes financiare, analistët alarmojnë se kjo përbën një nga situatat më të rënda në historinë e tregjeve të energjisë. Vendet perëndimore kanë ezauruar rreth 60% të rezervave të tyre strategjike gjatë shtatë muajve të fundit për të mbajtur çmimet nën kontroll, duke konsumuar pothuajse të gjithë marzhin e ndërhyrjes (pasi 30% e rezervave nuk mund të nxirren në treg).

Nëse rrugët e transportit nuk zhbllokohen me shpejtësi, bota tregtare rrezikon të përballet me një skenar të pashmangshëm: mungesën e plotë të karburantit në pompa.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit