Një situatë me tensione është regjistruar sot në Vlorë, përpara nisjes së një proteste të paralajmëruar kundër kryeministrit Edi Rama.
Policia ka ndërhyrë duke shoqëruar katër persona pranë ambienteve të Pallatit të Kulturës, ku kreu i qeverisë po zhvillon një takim me qytetarët dhe strukturat politike në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.
Mes të shoqëruarve është edhe Baki Goxha, i cili bashkë me disa qytetarë të tjerë po organizonte tubimin që ishte parashikuar të ngrihej menjëherë pas përfundimit të takimit të kryeministrit.
Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e forcave të rendit ka ndodhur përpara se protesta të fillonte zyrtarisht.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi shkaqet e shoqërimit, ndërsa pritet që Policia e Shtetit të dalë me një deklaratë për me detajet e ndërhyrjes dhe menaxhimin e situatës së krijuar.