Kylian Mbappé ka folur hapur për ambiciet e tij për Topin e Artë, krahasimin e përhershëm me Lionel Messin, akuzat për egoizëm dhe kritikat që e shoqërojnë prej kohësh për kontributin në fazën mbrojtëse.
Në një intervistë për “L’Equipe” dhe “France Football”, ylli francez nuk e fshehu bindjen se e meriton çmimin prestigjioz individual. Mbappé e sheh veten si një nga favoritët kryesorë dhe thekson se, sipas tij, askush nuk ka zhvilluar një sezon më të mirë se ai.
Megjithatë, sulmuesi francez la edhe një “thumb” për mënyrën se si përcaktohet fituesi. Sipas tij, historikisht Topi i Artë ka përfunduar shpesh në duart e lojtarit që ka fituar më shumë me skuadrën, dhe jo domosdoshmërisht të atij që ka qenë më i miri individualisht.
I pyetur nëse do ta konsideronte një dështim mbylljen e karrierës pa Champions League apo Topin e Artë, Mbappé dha një përgjigje të shkurtër: “Fitohet në fushë, jo me fjalë.”
Francezi hodhi poshtë gjithashtu etiketën e një futbollisti egoist. Si argument, ai përmendi edhe rekordin e asistimeve me fanellën e kombëtares së Francës, duke e konsideruar këtë statistikë si dëshmi se loja e tij nuk bazohet vetëm te goli personal.
Në lidhje me Lionel Messin dhe mundësinë për të luajtur deri në një moshë të ngjashme me argjentinasin, Mbappé u përgjigj me humor se do të luante “deri në 100 vjeç nëse do të ishte e nevojshme”.
Megjithatë, ai bëri dallimin mes tyre: “Unë e konsideroj veten një lojtar ndryshe, por Messi është unik mes të tjerëve. Messi është Messi.”
Ndërsa për kritikat mbi mungesën e presingut dhe kontributit të tij në fazën mbrojtëse, Mbappé tha se kjo është një pasojë e pritshmërive të jashtëzakonshme që krijohen ndaj një lojtari që prej vitesh qëndron pranë nivelit më të lartë.
Sipas tij, kur një futbollist është vazhdimisht në elitë, vëmendja nis të përqendrohet më shumë te ato aspekte ku nuk është perfekt, duke lënë në hije golat, asistet dhe arritjet e tij.