“Vijnë parkojnë këtu dhe na bllokojnë hyrjen, Policia Rrugore s’reagon”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.09.2026, 16:16

Banorët e rrugës “Jordan Misja” në Tiranë kanë kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të denoncuar një problem të vazhdueshëm me parkimet e automjeteve, që sipas tyre po u vështirësojnë seriozisht hyrjen dhe daljen nga pallati.

Sipas banorëve, automjetet e parkuara nga persona të zonës, por edhe nga qytetarë që vijnë në pallatet përreth, bllokojnë rrugën që të çon drejt parkimit të pallatit të tyre. Si pasojë, banorët thonë se shpesh e kanë të pamundur të hyjnë apo të dalin me automjetet e tyre.

Ata shprehen se janë ankuar edhe pranë Policisë Rrugore, por deri më tani nuk kanë gjetur një zgjidhje. Në rrugë ndodhet edhe një tabelë që ndalon qëndrimin, por sipas tyre, ajo nuk respektohet.

Në përpjekje për të penguar parkimin në këtë pjesë, banorët kanë vendosur edhe blloqe betoni, por ato janë hequr nga persona të ndryshëm dhe automjetet vazhdojnë të parkohen kudo, përfshirë trotuaret dhe hapësirat e gjelbra.

“Ju lutem na ndihmoni, pasi duam që Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake të marrë masa dhe të vendosë gjoba. Publikimi nga ana juaj ndoshta ndërgjegjëson edhe policinë, edhe banorët që të mos parkojnë vend e pa vend”, shprehen denoncuesit.

Sipas tyre, situata është edhe më e pakuptimtë pasi në zonë ka si parkime private, ashtu edhe hapësira publike për parkim. Megjithatë, automjetet vijojnë të lihen pikërisht në rrugën që shërben si hyrje-dalje për pallatin.

Banorët kërkojnë ndërhyrje për lirimin e rrugës dhe zbatimin e sinjalistikës, në mënyrë që të kenë akses normal në banesat e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit