Çmimi i karburanteve në tregun vendas ka pësuar një tjetër rritje të fortë, duke iu afruar niveleve rekord të shënuara gjatë krizës së vitit 2022. Nafta sot tregtohet me 226–229 lekë për litër, nga 219 lekë më parë, me një rritje prej 7 deri në 10 lekësh. Edhe benzina është shtrenjtuar ndjeshëm, duke kaluar nga 205 lekë në 216–219 lekë për litër, ose 11 deri në 14 lekë më shumë.
Rritja e çmimeve në Shqipëri vjen pas një kërcimi të fortë të naftës në tregjet ndërkombëtare. “Brent” arriti dy ditë më parë në rreth 110 dollarë për fuçi, nga 100 dollarë më parë, ndërsa sot tregtohet rreth 104 dollarë. Edhe çmimi referencë Platts është rritur ndjeshëm, duke arritur rreth 1,619 dollarë për ton. Kjo është rritja më e fortë e karburanteve në vend që prej vitit 2022, kur pas nisjes së luftës në Ukrainë nafta arriti për një ditë në rekordin prej 265 lekësh për litër.
Shtrenjtimi i fundit lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme dhe problemet me transportin detar, veçanërisht në zonën e Detit të Kuq dhe Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e prodhimit botëror të naftës. Rritja e karburanteve pritet të ushtrojë presion edhe mbi transportin dhe kostot e produkteve të tjera, duke rënduar më tej xhepat e qytetarëve dhe bizneseve.