Gentian Çipi, 41 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë, është i burgosuri që mbrëmjen e djeshme u arratis nga spitali i Serres në Greqi, në rrethana që po hetohen nga autoritetet greke.
Çipi rezulton të ketë precedentë penalë si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi. Në Shqipëri, në korrik 2024, ai është dënuar me 2 vite burg për “shkatërrim të pronës me zjarr”, vepër e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.
Ai ishte hetuar fillimisht me masën “arrest në burg”, por më pas masa ishte zbutur në “ndalim të daljes jashtë shtetit” dhe “garanci pasurore”. Çipi akuzohej për djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen 13, në rrugën “Loni Grazhdani” në Korçë.
Emri i tij ishte përmendur edhe më herët nga autoritetet shqiptare. Në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia e kishte proceduar pasi pranë banesës së tij ishin konstatuar kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Por aktiviteti i tij kriminal, sipas autoriteteve greke, lidhet edhe me një ngjarje të rëndë të ndodhur në Selanik. Më 3 shtator 2024, në Pylaia, Çipi dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj një 25-vjeçari grek jashtë një kantine, duke e plagosur me tre plumba. I riu mbijetoi, ndërsa autori u largua nga vendi i ngjarjes.
Pas identifikimit të tij, policia greke zhvilloi një operacion për kapjen e Çipit në shtator 2025. Në pranga përfunduan edhe dy shtetas nga Korça, Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç. Sipas autoriteteve greke, Çipi dyshohej se drejtonte një grup kriminal të përfshirë në trafik droge dhe veprime të dhunshme.
Gjatë operacionit në Selanik, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrave të policisë. Ata shtuan shpejtësinë e automjetit me të cilin lëviznin dhe kryen manovra të rrezikshme, duke përplasur edhe një automjet policie. Më pas braktisën makinën dhe u larguan në këmbë, por u kapën nga policia.
Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, u arrestua edhe Enea Basholli.
Gjatë kontrolleve, autoritetet greke sekuestruan një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, një pasaportë false, një patentë false, 23,350 euro, disa telefona celularë dhe tre automjete.