Një situatë alarmante është denoncuar në redaksinë tonë nga një prej zonave më të frekuentuara turistike të vendit, Golemi ku ujërat e ndotura shkarkohen pranë vijës së plazhit, në një hapësirë ku çdo ditë pushojnë dhe lahen dhjetëra turistë.
Pamjet e siguruara në zonë tregojnë qartë një tub shkarkimi të vendosur pranë bregut, nga ku ujërat derdhen drejtpërdrejt në det. Shkarkimi ndodhet vetëm pak metra nga hapësira ku qëndrojnë pushuesit, ndërsa në pamje dallohen edhe turistë të huaj që vijojnë të lahen në det.
Përveç ndotjes së dukshme, në zonë raportohet edhe një erë e fortë dhe e pakëndshme, e cila ndihet përgjatë një pjese të konsiderueshme të bregdetit, deri në rreth një kilometër.
Problematika nuk është e panjohur për Golemin dhe zonat përreth Durrësit. Prej vitesh, gjatë sezonit turistik, janë ngritur shqetësime për menaxhimin e ujërave të ndotura dhe ndikimin e tyre në cilësinë e ujit të detit.
Rasti i fundit ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohen shkarkimet në një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike të vendit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një zonë ku operojnë hotele dhe struktura akomoduese të kategorisë së lartë, përfshirë edhe hotele me pesë yje.
Shkarkimi i ujërave të ndotura pranë zonave të larjes përbën një shqetësim të drejtpërdrejtë mjedisor dhe shëndetësor, ndërsa përgjegjësia për të identifikuar burimin dhe subjektin që kryen shkarkimin u takon institucioneve kompetente.