Shqipëria, me rënien më të lartë të lindjeve në Europë në tri dekada

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 12.09.2026, 08:57

Ballkani Perëndimor po përballet me një krizë të fortë demografike, familjet po bëjnë gjithnjë e më pak fëmijë, të rinjtë po largohen dhe popullsia po plaket. Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe të lindjeve në Europë që nga viti 1997, me një tkurrje prej 63.5%, nga rreth 61.7 mijë lindje në vitin 1997 në vetëm 22.5 mijë në vitin 2025. Në të njëjtën periudhë, lindjet kanë rënë me rreth 48.6% në Kosovë, 46.2% në Maqedoninë e Veriut, 45.7% në Bosnjë-Hercegovinë, 25.4% në Serbi dhe 20.9% në Mal të Zi. Edhe numri i lindjeve për 1,000 banorë ka rënë ndjeshëm: Shqipëria nga 21.7 në 9.6, Kosova nga 21.4 në 12.8, ndërsa Serbia nga 10.8 në 9.1.

Përballë kësaj situate, qeveritë e rajonit po rrisin ndihmat për familjet, por rezultatet ende nuk po duken në shifrat e lindjeve. Serbia ofron rreth 4,260 euro për fëmijën e parë, 5,112 euro për të dytin, 19,427 euro për të tretin dhe deri në 27,095 euro për të katërtin. Në Shqipëri, Bonusi i Bebes është 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin e më tej, por pavarësisht kësaj, në vitin 2025 u regjistruan vetëm 22,541 lindje, 3.3% më pak se një vit më parë. Kosova mbështet familjet kryesisht me pagesa mujore, ndërsa Mali i Zi jep rreth 30 euro në muaj për fëmijë. Në gjithë rajonin, fertiliteti ka rënë nën nivelin që nevojitet për zëvendësimin e popullsisë prej rreth 2.1 fëmijësh për grua; Mali i Zi ka normën më të lartë me 1.75, ndërsa Bosnjë-Hercegovina më të ulëtën, 1.49.

Problemi, sipas të dhënave, nuk zgjidhet vetëm duke dhënë para për një bebe. Emigracioni, çmimet e larta të banesave, kostoja e rritjes së fëmijëve, pasiguria në punë, lindja në moshë më të madhe dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës po ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin e çifteve për të pasur fëmijë. Shqipëria është shembulli më i fortë: edhe pas futjes së Bonusit të Bebes, numri i lindjeve ka vazhduar të bjerë. Pra, bonuset mund t’i ndihmojnë familjet me shpenzimet e para, por deri tani nuk kanë arritur të përmbysin trendin. Ballkani nuk po humbet vetëm banorë sot, por edhe po zvogëlon numrin e të rinjve që nesër do të krijonin familje dhe do të sillnin fëmijë në jetë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit