Një 41-vjeçar shqiptar është arratisur mbrëmjen e së premtes në Greqi, në një aksion të mirëorganizuar dhe me përdorimin e armëve, teksa po transportohej nga Burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30, në ambientet e jashtme të spitalit, pranë repartit psikiatrik. Në momentin e ndërhyrjes, automjeti i transportit ndodhej në oborr bashkë me të burgosurin dhe dy punonjësit që ishin ngarkuar me shoqërimin e tij.
Sipas të dhënave paraprake, dy automjete me sinjale ndriçuese që ngjanin me ato të mjeteve të policisë iu afruan eskortës. Nga automjetet zbritën disa persona të armatosur, të cilët kërcënuan punonjësit dhe arritën t’i neutralizonin.
Autorët më pas nxorën të burgosurin nga automjeti dhe e ndihmuan të largohej nga spitali. Gjatë aksionit, ata dyshohet se morën edhe armën e shërbimit të njërit prej punonjësve të burgut.
Pas arratisjes, grupi u largua me automjetet me të cilat kishte mbërritur, duke humbur gjurmët. Policia greke ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e të arratisurit, si dhe të personave që dyshohet se organizuan dhe ekzekutuan ndërhyrjen.
I arratisuri është një shtetas shqiptar 41 vjeç, i cili ishte arrestuar vitin e kaluar nga oficerët e Krimit të Organizuar. Ai dyshohet se ishte i përfshirë në një tentativë vrasjeje në Selanik, pas një incidenti të regjistruar në një mensë.
Hetuesit e lidhin gjithashtu emrin e tij me çështje të tjera që kanë të bëjnë me armët dhe trafikun e drogës.
Ndërkohë, autoritetet greke po hetojnë mënyrën se si është organizuar arratisja, ndërsa po punohet për identifikimin e personave të armatosur që morën pjesë në aksion dhe për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes.