Një qytetar, shtetas i Shqipërisë i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar sjelljen dhe trajtimin në mënyrë të padrejtë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një ndalimi në dalje të Prizrenit.
Ai ka treguar se ngjarja ka ndodhur më 27 gusht 2026, rreth orës 21:40, në një rrethrrotullim në dalje të Prizrenit. Qytetari tregon se një veturë e policisë ndodhej pas tij dhe se policët i kanë bërë shenjë për të ndaluar.
Ai thotë se ka hapur krahun dhe ka kërkuar të dijë arsyen e ndalimit. Sipas tij, polici ka reaguar me tone të larta dhe i ka kërkuar dokumentet, ndërsa qytetari u ka thënë se kishte vendosur rripin e sigurimit dhe se nuk kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar.
Në dëshminë e tij, qytetari thotë se polici i ka thënë:
“Kush kishte të drejtë në rreth, unë apo ti?”, duke argumentuar se vetura e policisë ndodhej në një distancë prej më shumë se 50 metrash pas tij dhe nuk kishte përdorur sinjalizim emergjent për ta njoftuar për ndalimin.
Situata, sipas tij, është tensionuar më tej kur polici ka kërkuar dokumentet dhe ka bërë deklarata që qytetari i ka konsideruar kërcënuese. Ai shprehet se polici i ka thënë kolegut të tij të njoftonte “merimangat” dhe se ta fusnin në pranga.
Qytetari thotë gjithashtu se, në momentin kur po dilte nga automjeti për të nxjerrë patentën, njëri prej policëve i ka shtyrë derën e makinës me forcë, ndërsa polici tjetër, sipas tij, e ka goditur derën me shqelm.
Ai thotë se ka filluar të filmojë situatën me telefon dhe se, pasi policët kanë parë se po regjistronte pamjet, sjellja e tyre është qetësuar.
“Vetëm se panë targat shqiptare, më sulmuan dhe më kërcënuan”, deklaron qytetari në dëshminë e tij.
Pas ngjarjes, ai thotë se është paraqitur në komisariat në Prizren, por thotë se nuk i është marrë deklarata. Sipas tij, më pas ka bërë denoncim edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), por është njoftuar se nuk janë konstatuar elemente të veprës penale.
Qytetari kërkon që videoja e incidentit të publikohet dhe që rasti të shqyrtohet nga institucionet përkatëse.