Një ankesë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Kosova lidhur me vonesën në sigurimin e trombociteve për pacientët e repartit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas ankesës, pacientët kanë qenë në pritje të trombociteve që nga ora 11:00. Familjarët bëjnë me dije se është kërkuar edhe dhurim gjaku dhe ai është realizuar, por deri rreth orës 17:00 nuk kanë marrë asnjë informacion për gjendjen e trombociteve apo kohën kur pritet të sigurohen.
“Duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të pacientëve onkologjikë dhe rëndësinë e transfuzionit, kjo vonesë është shqetësuese”, thuhet në ankesë.
Familjarët kërkojnë sqarime nga institucionet për arsyen e kësaj vonese dhe një informacion të qartë se kur pritet të sigurohen trombocitet për pacientët që kanë nevojë për to.