Gjatë hytbes së xhumasë në xhamitë e Kosovës, besimtarët janë ftuar të marrin pjesë në marshin që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Thirrja është bërë me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, i cili ka shprehur përkrahjen e tij për këtë organizim.
Në mesazhin e përcjellë gjatë hytbes është theksuar se marshi synon të jetë një tubim qytetar në shenjë solidariteti dhe përkrahjeje për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
“Ky është një tubim qytetar në mbështetje të lirisë, drejtësisë, dinjitetit dhe kujtesës sonë kombëtare, si dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Le të jemi të bashkuar, të qetë dhe dinjitozë”, thuhet në mesazhin e përcjellë për besimtarët.
Marshi i organizuar nga iniciativa “Liria ka emër” do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa është paraqitur si aktivitet solidarizimi me ish-krerët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Pak ditë më parë, Myftiu Tërnava kishte pritur në takim përfaqësues të organizatës “Liria ka emër”, të kryesuar nga Eliza Hoxha, ku kishte shprehur mbështetjen e tij për këtë nismë.