Në botën e politikanëve të zakonshëm, kur kryeministri të heq nga detyra pa dhënë asnjë motivacion dhe pa të premtuar asnjë post publik, reagimi minimal do të ishte një heshtje ose një dalje "me leje shëndetësore". Por ne nuk jetojmë në një botë të zakonshme; ne jetojmë në Shqipëri, ku shkarkimi nga detyra nuk është ndëshkim, por një "nder i madh" që duhet kthyer mbrapsht me interes.
Shkarkimi i Besfort Lamallarit nga posti i Ministrit të Brendshëm ofroi një leksion me vlera kombëtare politike. Pasi u fshi nga harta e kabinetit qeveritar pa asnjë shpjegim, Lamallari nxitoi të hapë rrjetet sociale jo për të kërkuar llogari, por për të thurur ode mirënjohjeje për Kryeministrin Edi Rama.
Sipas logjikës së postimit, të të heqin nga puna pa asnjë sqarim është midis "eksperiencës jetësore" dhe "bekimit hyjnor". Lamallari e quan kohën e tij në ministri si "librin e jetës", ndonëse kapitulli i fundit i këtij libri u shkrua me gomën e fshirjes së Edi Ramës. Më e bukura prej të gjithave? Deklarata se tani do të ketë "kënaqësinë e veçantë t'ia kthejë nderin e lartë" kryeministrit.
Se si i kthehet nderi dikujt që sapo të hapi derën e zyrës pa të thënë as "më fal", kjo mbetet një nga enigmat më të mëdha të diplomacisë shqiptare. Ndoshta do t'i dërgojë një shportë me fruta, ose ndoshta "nderi" do të jetë pranimi i ndonjë postimi dytësor ku mund të vazhdojë të thotë "Faleminderit që më hoqët".
Edi Rama, nga ana e tij, zgjodhi mjeshtërinë e heshtjes. Nuk dha asnjë motivacion pse e hoqi dhe as nuk u lodh të njoftonte se ku do ta plplasë ish-ministrin në vazhdimësi. Sepse pse të humbësh kohë me sqarime kur e di që pala tjetër do të falënderojë publikisht gjithsesi?
Në fund, fituesi i madh mbetet Ervin Demo, i cili mori urimet më të ngrohta nga paraardhësi i tij. Sepse në piramidën e sotme politike, rregulli i parë është i qartë: nuk ka rëndësi si hyn në ministri, rëndësi ka që kur të nxjerrin me shkelm, të kthehesh nga dera e të thuash: "Faleminderit për këpucën, ishte me të vërtetë e rehatshme!"