Pas ditëve me temperatura të larta, situata meteorologjike pritet të ndryshojë gjatë fundjavës. Vendi do të përfshihet nga shtimi i vranësirave dhe reshjet e shiut, të cilat në disa momente mund të shoqërohen me shtrëngata, shkarkesa elektrike dhe breshër, kryesisht në zonat malore dhe lindore.
Sot priten vranësira në rritje, ndërsa reshjet do të jenë lokale dhe afatshkurtra, fillimisht në veri, perëndim dhe zonat malore. Gjatë mbrëmjes vranësirat do të shtohen në të gjithë territorin.
Të shtunën reshjet do të jenë më të pranishme dhe parashikohet që të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit. Në zonat lindore priten herë pas here shtrëngata dhe shkarkesa elektrike, ndërsa në relievet malore nuk përjashtohet edhe breshëri.
Të dielën moti do të mbetet i paqëndrueshëm, me reshje kryesisht në jug të vendit. Ndërkohë, era do të forcohet gjatë fundjavës, veçanërisht në zonat malore dhe përgjatë bregdetit, ku mund të arrijë deri në 16 m/s.
Ndryshimi do të ndihet edhe në temperatura. Në zonat malore minimalet pritet të zbresin deri në 13°C, ndërsa maksimalet do të shkojnë deri në 30°C. Në zonat e ulëta temperaturat do të luhaten nga 19°C në 34°C, ndërsa në bregdet nga 22°C në 34°C.
Nga e diela pritet një tjetër ulje, e përkohshme, e temperaturave, ndërsa e hëna parashikohet më e qëndrueshme. Sipas parashikimit, një tjetër përkeqësim i situatës meteorologjike pritet nga e marta.