Një 46-vjeçar me origjinë shqiptare është dënuar me 6 vite burg në Austri, pasi u shpall fajtor për një seri vjedhjesh në nëntë banesa në Vorarlberg, gjatë korrikut dhe gushtit të vitit të kaluar. Sipas hetimeve, ai kishte hyrë me forcë në banesa dhe kishte grabitur para dhe sende me vlerë të paktën 14 mijë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm, përfshirë dyert dhe xhamat e dëmtuar, arrin në rreth 40 mijë euro.
Gjurmët e ADN-së të gjetura në vendngjarje çuan te 46-vjeçari, ndaj të cilit ishte lëshuar edhe një urdhër-arresti evropian. Ai ndodhej në paraburgim në burgun e Feldkirch që prej marsit. I pandehuri ka precedentë të mëparshëm për vjedhje dhe grabitje në Suedi dhe Danimarkë, ndërsa në disa prej rasteve në Austri dyshohet se ka pasur edhe një bashkëpunëtor. Në gjykatë ai u shpreh i penduar dhe tha se dëshiron të ndryshojë, duke përmendur edhe dy fëmijët e tij.
Megjithatë, prokuroria theksoi se nëntë familjet e dëmtuara nuk do të mund të marrin mbrapsht paratë e humbura, pasi 46-vjeçari ka rreth 12 mijë euro borxhe dhe probleme me lojërat e fatit. Dënimi me gjashtë vite burg nuk është ende i formës së prerë. Ndërkohë, ndaj tij ka nisur edhe një tjetër procedurë, pasi autoritetet zvicerane kanë kërkuar ekstradimin e tij për një çështje të hapur në Zvicër.