“Nadja e mirë, zotni!”: Lamtumirë Agronit, shoferit afrikan me zemër shkodrane

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.09.2026, 19:51

“Nadja e mirë, zotni!”, kjo ishte përshëndetja e ngrohtë që për dekada me radhë u lajmëronte udhëtarëve se kishin nisur ditën me një prej njerëzve më të dashur të qytetit. Agron Shepetja, fytyra e njohur pas timonit të autobusëve shkodranë dhe një prej personazheve më unike të qytetit, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.

I lindur dhe i rritur në Shkodër, Agroni ishte një njeri i thjeshtë, i kulturuar dhe punëtor. Pavarësisht se kishte prejardhje afrikane, një histori familjare që vetë ai nuk arriti ta zbardhte kurrë plotësisht, ai ishte shkodran në çdo qelizë, duke u shkrirë në jetën e përditshme dhe kujtesën e qytetit.

Jeta e tij nuk ishte gjithmonë e lehtë. I rritur i vetëm, ai u përball herët me paragjykimet e një shoqërie që nuk ishte mësuar ende me diversitetin. Megjithatë, siç tregonte vetë në një intervistë të vitit 2009, mbështetja e shoqërisë shkodrane e ndihmoi të integrohej dhe të fitonte respektin e të gjithëve.

Paragjykimet i sfidoi edhe në dashuri. Kur nisi punën si shofer i ri, u dashurua me Safeten, e cila punonte në të njëjtën ndërmarrje. Përballë kundërshtimeve të kohës për shkak të ngjyrës së lëkurës, çifti u largua nga shtëpia për të ndërtuar jetën bashkë. Ata u bekuan me gjashtë vajza, të cilat ishin krenaria e tij më e madhe.

Agroni ishte gjithashtu xhaxhai i Sokol Shepetjes, ish-oficerit të forcave speciale RENEA dhe rekordmenit të atletikës shkodrane që i ka dhuruar shumë sportit shqiptar.

Shkodra sot nuk po përcjell thjesht një ish-shofer autobusi, por një copëz të shpirtit të saj urban. Për të gjithë ata që udhëtuan dikur me të, Agroni do të mbetet përgjithmonë aty, pas timonit, me buzëqeshjen dhe përshëndetjen e tij të paharruar.

Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet të premten, në orën 16:00.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit