Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një pyetje të drejtpërdrejtë për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita, pas një situate të hasur ditën e sotme.
Qytetari pranon se kishte parkuar gabim dhe e dinte shumë mirë që po shkelte rregullat. Por, sipas tij, polici që ndodhej në vendngjarje zgjodhi të sillej me mirëkuptim dhe ta lejonte të qëndronte për disa minuta, deri sa të kryente një blerje.
Dhe pikërisht ky episod, në vend që të kalonte pa u vënë re, e ka bërë qytetarin të ngrejë një pyetje që prek një problem më të gjerë: pse një sjellje normale, qytetare dhe njerëzore nga një punonjës policie duket si diçka e rrallë?
Sipas tij, përballë rasteve të tilla, qytetarët hasin jo rrallë punonjës që i konsiderojnë arrogantë, të pasjellshëm apo aspak bashkëpunues. Në raste edhe më të rënda janë dhe palë me krimin apo konsumatorë të lëndëve narkotike.
Në fund, qytetari i drejton Hitës një pyetje ironike, por njëkohësisht të fortë:
“A i çoni në shkollë policët para se t’i merrni në punë?”
Sepse uniforma e policit nuk duhet të jetë vetëm një simbol autoriteti. Ajo duhet të shoqërohet edhe me edukatë, komunikim, respekt dhe profesionalizëm ndaj qytetarit.
Një polic që di të respektojë qytetarin edhe kur ky i fundit ka gabuar, nuk duhet të jetë përjashtim. Duhet të jetë standardi.