Kush është biznesmeni që komunikonte me Ballukun për vilën luksoze në Palasë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.09.2026, 16:06

Biznesmeni Alban Eftimi është një prej personave që del në komunikimet e administruara nga Prokuroria e Posaçme në hetimet për vilën luksoze në Palasë, e dyshuar nga SPAK si përfitim i parregullt në këmbim të tenderave publikë. Në dosjen hetimore janë përfshirë dy e-mail-e të dërguara nga Eftimi në adresë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, në shtator të vitit 2020, në një kohë kur vila ishte ende në proces ndërtimi. Komunikimet tregojnë se Eftimi diskutonte drejtpërdrejt me Ballukun për detaje të projektimit, arredimit dhe organizimit të ambienteve të vilës.

Në e-mail-in e 14 shtatorit 2020, Eftimi i përcjell Ballukut një përshkrim të detajuar të projektit, duke u ndalur te pishina “infinity”, vaskat hidromasazhi, suitë, kuzhina, garderoba dhe materialet e përdorura. Ai shkruan se një pjesë e ambienteve rreth pishinës ishin veshur me “teak”, për t’i dhënë hapësirës një ndjesi më të ngrohtë dhe “pak si jaht”, ndërsa përmend edhe mundësinë që vila të jepej me qira në të ardhmen dhe që përdoruesit të ndiheshin “si në hotel”. Katër ditë më vonë, më 18 shtator, Eftimi i dërgon Ballukut edhe dokumentin me titullin “Vilat binjake Palasë”, prej 11 faqesh, ku përfshihen planimetritë dhe projektet e sipërfaqeve të dy vilave. Komunikimet e bëjnë Eftimin një prej personave që shfaqet në mënyrë konkrete në fazën e projektimit dhe konceptimit të vilës.

Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, vila 2F nr.188/1 në kompleksin “Green Coast”, Palasë, rezulton në pronësi faktike të të pandehurës Belinda Balluku dhe dyshohet se është përfituar përmes një skeme korruptive të lidhur me tenderin për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit mbi 2.3 miliardë lekë. Në këtë skemë SPAK përmend Arbër Abazin, pronar të “Alko Impex General Construction”, të akuzuar për korrupsion aktiv dhe për marrjen përsipër të financimit të punimeve të vilës, si dhe Igli Taren, i akuzuar për pastrim parash dhe përdorimin e kontratave për regjistrimin e pronës. Në hetimet për tenderin përmendet gjithashtu ish-kreu i ARRSH-së Evis Berberi, së bashku me anëtarë të njësisë së prokurimit dhe KVO-së. Gjykata e Posaçme ka caktuar më 9 shtator 2026 sekuestro preventive për vilën, e cila ka 478 m² truall dhe 142.6 m² ndërtesë, ndërsa hetimet vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit