Një qytetare ka ngritur një shqetësim serioz për gjendjen e pishave në Golem, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse përpara se dëmtimi i tyre të marrë përmasa edhe më të mëdha.
Sipas denoncimit të saj, prej më shumë se një viti pishat në zonë po shfaqin shenja të dukshme tharjeje. Qytetarja thotë se pemët janë prekur nga një problem që po i dëmton gradualisht dhe se situata nuk ka marrë ende vëmendjen e duhur nga institucionet.
Një prej shenjave që ka vënë re, sipas saj, është një lloj lëngu ngjitës që del nga pishat dhe bie në formën e pikave të imëta, duke lënë njolla të zeza në trotuare.
“Pishat po kullojnë një fare fluidi ngjitës në formë shiu të imët, duke lënë mbi trotuare pulla të zeza”, shprehet qytetarja.
Por shqetësimi nuk lidhet vetëm me pamjen e pemëve. Sipas saj, pishat nuk prodhojnë më boçet që dikur ishin të shumta.
“Pishat nuk bëjnë më boçe. Dikur kishin me qindra. Kjo është një shenjë tjetër që po thahen”, vijon ajo.
Qytetarja thotë se problematika është bërë e ditur edhe pranë strukturave vendore, por deri më tani, sipas saj, nuk ka pasur një reagim konkret.
Ky denoncim ngre pikëpyetje për gjendjen e një prej pasurive të gjelbra më karakteristike të Golemit. Pishat që shtrihen përgjatë zonës janë pjesë e peizazhit të saj dhe përbëjnë një brez të rëndësishëm gjelbërimi në një hapësirë ku ndërtimeve dhe betonizimit u është shtuar ndjeshëm prania ndër vite.
Qytetarja kërkon që situata të trajtohet me prioritet dhe që specialistët të kryejnë një verifikim të plotë për të përcaktuar shkakun e dëmtimit të pemëve dhe masat që duhen marrë për mbrojtjen e tyre.
“Kurora e gjelbër që ka mbijetuar mes betonit është seriozisht nën zhdukje. Rreziku nga tharja duhet të ndiqet me prioritet nga shteti dhe ata që duhet të kujdesen për pyjet dhe gjelbërimin”, apelon ajo.
Nëse dëmtimi i pishave po vijon në mënyrë progresive, ndërhyrja në kohë është e rëndësishme jo vetëm për pemët që mund të jenë prekur, por edhe për të parandaluar përhapjen e problemit te pjesa tjetër e gjelbërimit.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje. Do doja te ndaja me ju nje shqetesim ne lidhje me pishat e Golemit. Kane mbi nje vit te prekura nga nje virus i cili po i than dalengadale. Pishat po "kullojne" nje fare fluidi ngjites ne forme shiu te imet, duke lene mbi trotuare pulla te zeza. Pishat nuk bejne me boce. Dikur kishin me qindra. Kjo eshte nje shenje tjeter qe po thahen. Ky shqetesim eshte deleguar edhe ne bashki e komune por asgje nuk ka levizur. Duke shpresuar ne ndihmen e faqes tuaj dua ta bej sensitive kete problem. Kurora e gjelber qe ka mbijetuar mes betonit eshte seriozisht nen zhdukje. Rreziku nga tharja duhet te ndiqet me prioritet nga shteti dhe ata qe duhet te kujdesen per pyjet dhe gjelberimin. Do ishte e trishtueshme qe Bulevardi i Pishave te ngelej neser thjesht nje kujtim i hidhur per brezat qe do vijne....
