Një ngjarje e rëndë ka tronditur Leposaviqin, ku një 29-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesë.
Rasti është raportuar në Polici më 9 shtator, rreth orës 10:50, pasi familjarët kanë deklaruar se e kishin gjetur viktimën, M.M., e lindur në vitin 1997, rreth orës 07:00.
Ajo ishte vizituar nga mjeku kujdestar, i cili kishte konstatuar vdekjen. Por, sipas Policisë, stafi mjekësor nuk e kishte njoftuar Policinë për rastin, pavarësisht se bëhej fjalë për një vdekje të dyshimtë.
Për këtë arsye, mjeku kujdestar i QKMF-së në Leposaviq është intervistuar si i dyshuar për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”.
Pas intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, trupi i pajetë i 29-vjeçares është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes.
Gjatë hetimeve janë siguruar informacione se e reja kishte pasur probleme psikike dhe kishte përdorur medikamente kundër depresionit.
Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas obduksionit. Hetimet janë duke vazhduar.