Nis faza përfundimtare në Hagë, a do të ketë liri për Thaçin?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.09.2026, 10:57

Gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për pengim të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ka hyrë sot në fazën e deklaratave përfundimtare. Seanca nis në orën 09:30, ndërsa deklaratat e palëve do të vijojnë edhe më 11 dhe 14 shtator. Prokuroria pretendon se gjatë vitit 2023, ndërsa ndodhej në paraburgim, Thaçi u ka dhënë Smakajt, Kilajt dhe Fazliut informacione konfidenciale për dëshmitarë të Prokurorisë dhe se është tentuar të ndikohet në dëshmitë e tyre. Thaçi përballet me 11 akuza, ndërsa Smakaj, Kilaj dhe Fazliu me nga dy akuza dhe Kuçi me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Të pestë janë deklaruar të pafajshëm.

Çështja për pengim të drejtësisë lidhet me procesin kryesor ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Kosovës 1998-1999. Gjyqi kryesor përfundoi në shkurt, pas më shumë se tre vitesh seanca, ku dëshmuan mbi 130 persona dhe u pranuan me shkrim rreth 160 deklarata të dëshmitarëve. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej katër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ata kanë mohuar të gjitha akuzat. Në çështjen e pengimit të drejtësisë, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu ndodhen aktualisht të liruar me kusht, ndërsa Thaçi vijon të mbahet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020.

Një nga pyetjet kryesore që pritet të marrë përgjigje lidhet me 16 shtatorin dhe nëse atëherë mund të ketë shpresë për lirinë e Thaçit. Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, nëse ai shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte, lirimi nuk është domosdoshmërisht automatik, pasi ai mund të vijojë të mbahet për shkak të çështjes tjetër për pengim të drejtësisë. Gjykatësi i vetëm duhet të vlerësojë nëse ekzistojnë ende arsyet për paraburgim dhe, në vendimin e fundit të 31 korrikut, kishte konstatuar rrezik për pengim të procedurave ose kryerje të veprave të tjera penale. Pra, pyetja që mbetet pezull është: pas deklaratave përfundimtare dhe vendimeve të pritshme, a do të hapet më 16 shtator rruga për lirinë e Hashim Thaçit, apo ai do të vijojë të qëndrojë në paraburgim për shkak të procesit të dytë?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit