Pas apelit në JOQ, shqiptarët bëjnë mrekullinë: Mblidhet në kohë rekord e gjithë shuma për Troin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.09.2026, 01:10

Një lajm i mrekullueshëm ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania vetëm një ditë pasi publikuam apelin për vogëlushin Troi.

Shqiptarët janë bërë sërish bashkë për një fëmijë që ka nevojë për ndihmë dhe, brenda vetëm 24 orësh, është mbledhur e gjithë shuma e nevojshme për trajtimin e 5-vjeçarit.

Lajmi është bërë i ditur nga familja e Troit përmes një mesazhi emocionues falënderimi, në të cilin nëna e vogëlushit shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan, shpërndanë apelin apo u lutën për të.

“Ajo që ndodhi gjatë këtyre 24 orëve është diçka që do ta mbajmë në zemër për gjithë jetën”, shkruan ajo.

Familja tregon se ndihma nuk ka ardhur vetëm nga Shqipëria, por nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Europë, Amerikë dhe vende të tjera të botës.

Disa kontribuuan financiarisht, të tjerë shpërndanë historinë e Troit, ndërsa shumë prej tyre i shkruan familjes për t’u dhënë kurajë dhe për t’u ofruar mbështetjen e tyre.

“Për ne, kjo nuk ishte thjesht një mbledhje fondesh. Ishte një dëshmi e jashtëzakonshme e solidaritetit, njerëzisë dhe fuqisë që kemi kur bëhemi bashkë”, shprehet nëna e Troit.

Troi, vetëm 5 vjeç, prej vitesh përballet me një gjendje komplekse shëndetësore dhe gjatë muajit të fundit kishte kaluar dy episode të rënda të përkeqësimit neurologjik. Familja kishte kontaktuar disa klinika të specializuara në Shtetet e Bashkuara, ku rasti i tij ishte pranuar për vlerësim dhe trajtim të mëtejshëm.

“Faleminderit çdo personi që dha, që shpërndau, që u lut, që na shkroi dhe që besoi në Troin”, shkruan familja.

Prindërit e vogëlushit thonë se në një moment kur ndiheshin të pafuqishëm dhe të frikësuar për të ardhmen e djalit të tyre, shqiptarët u dhanë shpresë.

“Tani rrugëtimi ynë vazhdon, por këtë rrugë nuk do ta bëjmë më vetëm.”

Ky është një tjetër rast që tregon se, kur shqiptarët bashkohen për një qëllim të mirë, solidariteti i tyre mund të bëjë diferencën.

Nga familja e Troit, një falënderim i veçantë shkon për secilin person që kontribuoi, shpërndau apelin, dërgoi një mesazh apo u lut për vogëlushin.

“Zoti ju shpërbleftë të gjithëve për zemërgjerësinë, ndihmën dhe mbështetjen që na keni dhënë. Xheladini, Gentijana & Troi”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit