Dhunohet drejtori i Ujësjellësit në Elbasan, u godit me sende të forta nga dy persona

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.09.2026, 00:19

Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, është dhunuar mëngjesin e së dielës, 6 shtator, në qendër të qytetit.

Ngjarja, e cila ka ndodhur tre ditë më parë, është bërë publike vetëm sot, ndërsa detaje të reja mbi sulmin kanë dalë në dritë.

Raportohet se Tabaku dyshohet se është goditur nga dy persona, të identifikuar si Endri Çopja dhe Horgito Peqini, rreth orës 10:45.

Sipas të dhënave të deritanishme, gjatë sulmit mund të jenë përdorur edhe sende të forta. Tabaku ka marrë dëmtime në kokë dhe, referuar kartelës së tij mjekësore, ka pësuar dy fraktura.

Pavarësisht dëmtimeve, drejtori i Ujësjellësit nuk ka depozituar kallëzim në Policinë e Elbasanit. Megjithatë, për shkak se ngjarja ka ndodhur në një zonë ku kanë qenë të pranishëm disa qytetarë, policia ka nisur verifikimet me iniciativë.

Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e konfliktit. Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me një çështje punësimi.

Sipas dyshimeve të ngritura deri më tani, përplasja mund të ketë ardhur pas largimit nga puna në Bashkinë e Elbasanit të bashkëshortes së Endri Çopjës. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimi dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht si motiv i sulmit.

Në fokus të hetimeve është edhe e kaluara e dy personave të dyshuar.

Endri Çopja është arrestuar më herët në lidhje me hetimet për atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, më 13 janar 2018 në Shkodër. Ai u lirua më pas, pasi sipas autoriteteve nuk u siguruan prova të mjaftueshme për ta mbajtur të ndaluar.

Ndërkohë, Horgito Peqini, nipi i Eduart Peqinit, i njohur si “Mandela i Elbasanit”, është liruar vetëm pak kohë më parë nga burgu, ku kishte vuajtur dënim për një vrasje të ndodhur në vitin 2022.

Edhe Luan Tabaku është një personazh i njohur në skenën publike të Elbasanit. Emri i tij është përmendur më herët për lidhje me Suel Çelën.

Në prill të vitit 2025, agjentë të BKH-së dhe Policisë së Shtetit kryen kontrolle në lidhje me Tabakun, ndërsa disa muaj më vonë ai u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të verifikimeve për dyshime se kishte favorizuar Suel Çelën në tendera publikë.

Deri në këto momente, nuk raportohet për persona të arrestuar apo të ndaluar lidhur me dhunimin e ndodhur më 6 shtator.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes, motivin dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit