Një video e publikuar nga avokati Arben Llangozi në Facebook ka rikthyer në vëmendje një ngjarje të ndodhur në Gomsinë e Re, në Velipojë, ku në ambientet e një lokali shfaqen armë zjarri, mes tyre një kallashnikov AK-47 dhe një pistoletë.
Përtej pamjeve, avokati ngre pikëpyetje për rolin e punonjësve të Policisë që, sipas tij, përmenden në materialet e administruara për çështjen.
Sipas Llangozit, në aktet e dosjes rezultojnë inicialet K. N., V. P., E. G., F. G. dhe G., ndërsa në fashikull ndodhen edhe pamjet e kamerave të sigurisë dhe deklarimet e personave të përfshirë.
Avokati pretendon se provat janë administruar dhe ndodhen në dosje, por ndaj punonjësve të Policisë të cilëve u referohet ai nuk është marrë asnjë masë.
Llangozi ngre kështu pikëpyetje mbi veprimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe kërkon të dijë se çfarë është bërë lidhur me efektivët e përmendur në materialet e çështjes.
“Kur në një dosje ke AK-47, pistoletë, pamje filmike dhe punonjës policie të përmendur, nuk mund të mjaftohesh vetëm duke futur provat në fashikull”, shprehet avokati.
Në këtë situatë, pyetja që ngre ai është e drejtpërdrejtë: Nëse provat janë administruar dhe pamjet ndodhen në dosje, çfarë veprimi është ndërmarrë ndaj punonjësve të Policisë të përmendur në materialet e çështjes?
JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga AMP dhe institucionet përgjegjëse për të sqaruar rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra.