Një 21-vjeçar shqiptar është dënuar me dy vite burg në Angli, pasi u kap duke transportuar kokainë me një biçikletë elektrike të modifikuar dhe u përpoq t’i shpëtonte policisë gjatë ndjekjes.
Bëhet fjalë për Klavi Likcanin, i cili u përball me drejtësinë në Basildon Crown Court pas ngjarjes së 30 korrikut në Southend.
Policia tentoi ta ndalonte pasi e kishte konstatuar duke lëvizur me shpejtësi mbi një biçikletë elektrike në Hamstel Road. Mjeti ishte modifikuar dhe, sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, mund të arrinte shpejtësi mbi 39 milje në orë.
Kur efektivët i ndezën dritat e emergjencës dhe nisën ndjekjen, 21-vjeçari nuk u ndal. Sipas gjykatës, ai kaloi dy herë mbi trotuar dhe më pas hyri edhe në korsinë e kundërt, ndërsa policia e ndiqte.
Në një moment gjatë arratisjes, Likcani hodhi një çantë në oborrin e një banese. Policia e gjeti atë pak më vonë dhe brenda saj u zbuluan tetë paketime dhe 11 qese plastike me kokainë, raportojnë mediat britanike.
I riu u kap përfundimisht në Newington Road.
Pas arrestimit, Likcani u tha efektivëve se ishte detyruar të merrej me shitjen e drogave të forta nga një person i përfshirë në një konflikt me familjen e tij në Shqipëri. Sipas mbrojtjes, ai ishte larguar nga Shqipëria për shkak të një konflikti familjar dhe kishte mbërritur në Britani rreth katër vite më parë, kur ishte ende i mitur.
Avokatja e tij, Isabella Glendinning, tha se 21-vjeçari ishte rritur pa mbështetje familjare në Britani dhe se kishte qenë i ekspozuar ndaj dhunës gjatë fëmijërisë. Ajo përmendi gjithashtu një pretendim për një tentativë vrasjeje ndaj xhaxhait të tij në Shqipëri.
Megjithatë, gjykata u informua se Likcani kishte refuzuar t’u jepte autoriteteve kodin e telefonit të tij dhe nuk ishte gjetur asnjë provë që të mbështeste pretendimin se ishte detyruar të merrej me shpërndarjen e drogës.
Recorder Peter Clark e dënoi me dy vite burg për posedim të drogave të kategorisë A me qëllim furnizimin e tyre.
Gjykatësi tha se një dënim me burgim mbi një vit sjell edhe shqyrtimin automatik të dëbimit nga Britania e Madhe. Likcanit iu vendos gjithashtu një ndalim dyvjeçar i drejtimit të automjeteve për drejtim pa kujdesin e duhur.
Për drejtimin pa siguracion dhe pa leje drejtimi, gjykata nuk vendosi një dënim të veçantë.
Në fund të seancës, gjyqtari i uroi 21-vjeçarit që e ardhmja e tij të ishte më e mirë se jeta që kishte kaluar deri atëherë.