Kujdes shoferë! 50-euroshe si karrem për vjedhje, hajdutët presin momentin kur dilni nga vetura

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 09.09.2026, 18:21

Një metodë e re mashtrimi po raportohet në Itali, ku hajdutët po përdorin një kartëmonedhë 50-euroshe si karrem për t’i nxjerrë shoferët nga veturat dhe më pas për t’u vjedhur sendet me vlerë.

Sipas raportimeve, rastet janë paraqitur kryesisht në zonat veriore të Romës, ku në shënjestër janë vendosur si banorët vendas, ashtu edhe turistët.

Skema është e thjeshtë: hajdutët vendosin një kartëmonedhë 50-euroshe nën fshirësen e xhamit të një veture, ndërsa pronari ndodhet larg. Kur shoferi kthehet dhe nis të largohet, e vëren paratë dhe del nga vetura për t’i marrë.

Pikërisht në ato pak sekonda, hajdutët shfrytëzojnë rastin për të hapur një derë tjetër dhe për të marrë çanta, telefona, portofola apo sende të tjera personale.

Në disa raste, paralajmërohet edhe rreziku që vetura të vidhet nëse shoferi e lë të ndezur dhe del për të marrë kartëmonedhën. Një tjetër variant i kësaj metode është vendosja e një shisheje plastike pranë rrotës.

Kur vetura kalon mbi të, zhurma e papritur e bën shoferin të ndalojë dhe të dalë për të kontrolluar situatën, moment që hajdutët synojnë ta përdorin.

Policia dhe autoritetet këshillojnë që në raste të tilla të mos dilni menjëherë nga vetura duke e lënë atë të hapur.

Fillimisht sigurohuni që makina të jetë fikur dhe e kyçur, ose largohuni nga zona para se të kontrolloni çfarë ka ndodhur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit