Mesazhe kërcënuese ndaj Kosovës nga persona që pretendojnë se ndodhen në frontin e luftës në Ukrainë.
Në disa video të publikuara në rrjetet sociale, disa persona që thonë se janë serbë dhe se po luftojnë në anën e Rusisë në Ukrainë, kanë bërë deklarata kërcënuese ndaj Kosovës.
“Po përgatitemi për Kosovën e shenjtë… Na prisni, së shpejti po vijmë dhe atëherë do të shohim kush jeni ju e kush jemi ne”, shprehet njëri prej tyre në video.
Në pamje shfaqen disa persona, ndërsa njëri prej tyre prezantohet si rus. Ata pretendojnë se ndodhen në një zonë lufte dhe u dërgojnë përshëndetje serbëve në Serbi, Republikën Srpska dhe Kosovë.
Në një prej videove përmendet edhe Daut Haradinaj, i njohur me nofkën “David” gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Personi që flet para kamerës përdor gjithashtu gjuhë të ashpër politike, duke sulmuar mbështetësit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe duke i cilësuar si “tradhtarë”.
Në fund të njërit prej incizimeve dëgjohet edhe thirrja: “Serbia dhe Rusia, vëllezër përgjithmonë”.
Pavarësisht kësaj, videot kanë shkaktuar reagime për shkak të gjuhës kërcënuese dhe referencave të drejtpërdrejta ndaj Kosovës.