Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim të rëndë ndaj një punonjësi policie, të cilin e identifikon si Artan Miraka, efektiv pranë Komisariatit nr. 6 në Tiranë.
Në redaksi, qytetarja ka dërguar një video të filmuar në ambientet e komisariatit, ku ajo shfaqet duke u përballur drejtpërdrejt me punonjësin e policisë dhe duke i ngritur akuza për dhunë dhe ngacmim seksual.
Gjatë përballjes, gruaja e pyet efektivin se si vijon të jetë pjesë e Policisë së Shtetit, ndërsa pretendon se ai e ka prekur më herët “në vende të turpshme”.
“Akoma në polici je ti pasi më ke dhunuar dhe më ndave nga fëmijët? Si ka mundësi që ti je akoma në polici pas asaj që më bëre mua? Ke ndonjë shpjegim?”, dëgjohet të thotë ajo.
Më tej, qytetarja e pyet sërish se përse vijon të punojë në polici dhe e akuzon për prekjen e saj në mënyrë të papërshtatshme.
“Pse je akoma ti në Policinë e Shtetit, ku ti më ke prekur mua në vende të turpshme? Si je akoma në polici ti?”, shprehet ajo.
Në video, punonjësi i policisë nuk i përgjigjet drejtpërdrejt akuzave, por i kërkon disa herë të ulet dhe i thotë: “Ulu, të lutem” dhe “Shko, ankohu të lutem”.
Qytetarja pretendon gjithashtu se gjatë një episodi tjetër brenda komisariatit është dhunuar fizikisht nga një punonjës policie, duke deklaruar se është kapur prej flokësh dhe është tërhequr zvarrë, ndërsa pretendon se ka qëndruar për rreth katër orë e mbyllur në komisariat.
Sipas saj, kamerat e sigurisë së komisariatit mund të dokumentojnë atë që ka ndodhur, por ajo pretendon se nuk i janë vënë në dispozicion pamjet.
Në komunikimin me redaksinë, qytetarja ka deklaruar gjithashtu se për rastin e saj ka bërë kallëzim pranë strukturave të drejtësisë dhe se çështja ka kaluar në Prokurori dhe më pas në Gjykatën Penale të Tiranës. Ajo pretendon se, pavarësisht kësaj, punonjësi vijon të jetë në detyrë.
JOQ Albania sjell këto pretendime të qytetares dhe pamjet e përballjes së saj me efektivin, pa i paragjykuar ato si të provuara. Për akuzat e ngritura ndaj punonjësit të policisë, nevojitet verifikimi nga organet kompetente dhe qëndrimi i palës së akuzuar.
Redaksia është e hapur për të publikuar edhe reagimin apo versionin e punonjësit të policisë dhe institucioneve përkatëse lidhur me këtë denoncim.