Kosova godet importin nga Serbia: Vendoset tarifë shtesë për farën e grurit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 08.09.2026, 16:36

Kosova ka vendosur një detyrim të përkohshëm antidamping ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se ka nënshkruar vendimin për vendosjen e një tarife shtesë prej 0.04 euro për kilogram.

Sipas saj, masa është ndërmarrë pas një hetimi të zhvilluar nga Ministria, ku janë evidentuar dëshmi paraprake se fara e grurit nga Serbia është importuar me çmime damping, duke shkaktuar dëme për prodhuesit vendorë.

“Prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme. Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka paralajmëruar se institucionet do të përdorin të gjitha instrumentet ligjore në dispozicion për të mbrojtur prodhuesit vendorë, konkurrencën e ndershme dhe interesin ekonomik të Kosovës.

Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në importet e farës së grurit nga Serbia, ndërsa masa është cilësuar si një hap për mbrojtjen e prodhimit vendor nga konkurrenca me çmime të dyshuara si të padrejta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit