“Kamikazi” lëviz me mbi 200 km/h në autostradë, videon e poston në TikTok

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.09.2026, 23:59

Një tjetër video e rrezikshme nga rrugët e Shqipërisë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një i ri shfaqet duke drejtuar automjetin me shpejtësi mbi 200 km/h në Autostradën Tiranë-Elbasan.

Pamjet janë filmuar nga vetë drejtuesi i mjetit dhe, sipas denoncuesit, më pas janë publikuar në TikTok përmes një llogarie false. Në video shihet shpejtësia që kalon 200 km/h, ndërsa automjeti vijon lëvizjen me shpejtësi të lartë dhe kryen disa parakalime të njëpasnjëshme.

Në sfond dëgjohet muzikë hip-hop, ndërsa mënyra e drejtimit tregon një sjellje tejet të rrezikshme në një nga akset kryesore rrugore të vendit. Përballë një shpejtësie të tillë, çdo parakalim i gabuar apo manovër e papritur mund të kthehet në një aksident me pasoja të rënda jo vetëm për drejtuesin, por edhe për qytetarët e tjerë që udhëtojnë në të njëjtin aks.

Denoncuesi thotë se ka qenë vetë në këtë rrugë bashkë me familjen dhe se janë rrezikuar nga drejtimi i mjetit.

“Këta të çmendurit na kanë rrezikuar jetën në autostradën Tiranë-Elbasan. Kam qenë me familjen dhe kemi shpëtuar për fije. I hedhin dhe në TikTok, postoje të shohin të tjerët dhe të ndërgjegjësohen.”

Raste të tilla nuk janë të rralla në rrugët shqiptare, ku drejtues të ndryshëm publikojnë në rrjetet sociale pamje duke drejtuar me shpejtësi ekstreme apo duke kryer manovra të rrezikshme, duke i kthyer rrugët publike në një lloj piste gare.

Shpejtësia mbi 200 km/h nuk është thjesht një shkelje e rregullave të qarkullimit. Në një rrugë ku udhëtojnë familje, fëmijë dhe qytetarë të tjerë, një sjellje e tillë rrezikon drejtpërdrejt jetën e personave që nuk kanë zgjedhur të bëhen pjesë e një “gare”.

Denoncuesi kërkon që pamjet të bëhen publike në mënyrë që të merren masa dhe që drejtuesit e mjeteve të ndërgjegjësohen për pasojat që mund të sjellë një drejtim i tillë.

“Çdo ditë po vriten njerëzit në rrugë, çfarë bëhet në këtë vend?”, përfundon ai apelin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit