“Gjarpër në këndin e lojërave të Pediatrisë, qytetari detyrohet ta largojë me shkop”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.09.2026, 22:46

Një situatë shqetësuese është denoncuar në këndin e lojërave pranë Pediatrisë në QSUT, aty ku fëmijët duhet të kenë një hapësirë të sigurt për të kaluar disa momente jashtë ambienteve të spitalit.

Një prind i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke denoncuar praninë e një gjarpri në ambientet e këndit të lojërave. Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, ndërsa në atë hapësirë ndodheshin fëmijë dhe prindër.

Në videon e dërguar në redaksi shihet një qytetar që afrohet pranë gjarprit dhe, duke përdorur një shkop, përpiqet ta largojë nga ambienti ku luajnë fëmijët.

Prania e një gjarpri në një hapësirë të tillë ngre pikëpyetje serioze për sigurinë dhe mirëmbajtjen e ambienteve të Pediatrisë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një kënd lojërash ku qëndrojnë fëmijë, të cilët mund të mos e kuptojnë rrezikun dhe mund t’i afrohen zvarranikut.

Një tjetër shqetësim që ngrihet është se përse, në një situatë të tillë, ndërhyrja për largimin e gjarprit është bërë nga një qytetar dhe jo nga personeli apo shërbimet përkatëse të institucionit.

Prindërit kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa për kontrollin dhe pastrimin e ambienteve, si dhe për ndërhyrjen e specializuar në raste të pranisë së zvarranikëve, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në hapësirat ku qëndrojnë fëmijët.

“Gjarpri traumatizon fëmijët te Pediatria!”, shkruan denoncuesi, i cili i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë për sigurinë e fëmijëve brenda dhe përreth ambienteve të Pediatrisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit