Një tjetër aferë e dyshimtë prokurimesh publike po konsumohet në Bashkinë e Himarës. Me bekimin e pushtetit lokal, dhjetëra miliona lekë nga taksat e qytetarëve po derdhen në xhepat e privatit përmes një procedure që mban të gjitha aromat e një gare të paracaktuar dhe të qepur me porosi.

Në tenderin me objekt "Ndërtimi i godinës së shërbimit MZSH" me numër reference REF-93607-07-16-2026 dhe fond limit prej 79,166,667.00 lekësh të reja pa TVSH, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve TOTILA SHPK dhe ZEQILLARI CONSTRUCTION SHPK. Vlera e ofertës fituese kap shifrën e 76,775,181.50 lekëve të rinj pa TVSH ose rreth 920 milionë lekë të vjetra me TVSH, duke përpirë pothuajse 97% të të gjithë fondit limit të vendosur në dispozicion.


Njoftimi i fituesit mban firmën dhe vulën zyrtare me emrin e Kryetarit Vangjel Tavo, nënshkruar me delegim nga Sekretari i Përgjithshëm Pervin Gjikuria, duke zyrtarizuar kalimin e milionave te këto dy firma. Kjo procedurë hap pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si po menaxhohen fondet publike në Himarë, ku garat e hapura ekzistojnë vetëm në letrat e njoftimeve zyrtare, ndërsa në realitet tenderat mbyllen me një operator të vetëm në tryezë.

